E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Aktualitet

Alarm për bombë në mbi 450 shkolla në Gjermani, kërcënime me email edhe në Danimarkë

Shkollat në Gjermani dhe Danimarkë janë vënë në alarm këtë të hënë, pas një vale email-esh kërcënuese që paralajmëronin vendosjen e bombave në institucionet arsimore.

Vetëm në Gjermani, mesazhet kanë mbërritur në më shumë se 450 shkolla në mbarë vendin. Sipas policisë në Freiburg, e cila ka marrë një numër të madh raportimesh, të gjitha email-et kishin përmbajtje të njëjtë dhe mbanin titullin “Vdekja ju pret”. Kërcënime janë regjistruar edhe në landin e Turingisë, ku shkolla në disa qytete janë bërë cak i mesazheve.

Me gjithë përmasat e alarmit, autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se, në bazë të vlerësimeve të deritanishme, kërcënimet nuk konsiderohen të besueshme. Për këtë arsye, shkollave të prekura u është kërkuar të mos i evakuojnë objektet dhe ta vazhdojnë mësimin sipas orarit të rregullt, ndërsa hetimet për identifikimin e dërguesve po vazhdojnë.

Raportime të ngjashme ka pasur edhe në Danimarkë, ku policia ka njoftuar se ka marrë disa sinjalizime për bomba në shkolla në gjithë vendin. Edhe autoritetet daneze i kanë cilësuar kërcënimet si të pabazuara dhe kanë theksuar se nuk ka arsye për evakuime apo masa të posaçme sigurie, por kanë pranuar se mesazhe të tilla krijojnë pasiguri te nxënësit, prindërit dhe stafi i shkollave. Policia atje është në kontakt të vazhdueshëm me shkollat dhe komunat.

Vala e së hënës vjen pas rasteve të ngjashme në Evropë: javën e kaluar, mbi 10 shkolla në Spanjë u evakuuan pas kërcënimeve me email, ndërsa në fillim të nëntorit evakuime pati edhe në Itali.

Burimi: Sinjali

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *