E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Aktualitet

Ekstradohet në SHBA 21-vjeçari nga Kosova, i caktohet paraburgimi në Wisconsin për shitjen e të dhënave të kartave

Një 21-vjeçar nga Kosova do ta presë gjykimin në paraburgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi u ekstradua atje nën dyshimet se ka shitur në internet të dhëna të vjedhura të kartave të kreditit.

Hektor Avdyli ishte arrestuar më 15 korrik të këtij viti në Prizren nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ndërsa më 19 nëntor u ekstradua në SHBA. Një ditë më pas ai doli para gjykatësit William E. Duffin në Milwaukee të Wisconsin-it, i cili urdhëroi që ai të mbetet në paraburgim derisa të zhvillohet procesi gjyqësor.

Sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, i riu dyshohet se përmes forumeve kriminale në rrjetin e fshehtë të njohur si “Dark Web” reklamonte dhe shiste numra kartash të vjedhura, së bashku me të dhënat personale të pronarëve të tyre – përfshirë kodet CVV, emrat, adresat, numrat e telefonit dhe adresat elektronike. Ai përdorte disa pseudonime dhe, sipas hetuesve, pohonte se të dhënat i siguronte duke depërtuar me softuer keqdashës në faqet e blerjeve online.

Gjatë hetimit, agjentë të FBI-së blenë në mënyrë të fshehtë prej tij më shumë se 27 mijë numra kartash të vjedhura, ndërsa rreth 300 nga viktimat rezultojnë me adresa në Wisconsin. Edhe më tronditëse janë gjetjet në pajisjet e tij: në një nga disqet e sekuestruara u gjetën rreth 2.7 milionë numra kartash pagese – kredi, debiti dhe karta dhuratë – me të dhënat personale përkatëse.

Nga Departamenti amerikan i Drejtësisë theksuan se vjedhja e të dhënave financiare të konsumatorëve nga aktorë të huaj u kushton amerikanëve miliarda dollarë çdo vit, dhe se rasti shënon një kapje të rrallë të një të dyshuari të tillë në tokën amerikane. Avdyli, i cili raportohet të jetë nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor.

Burimi: Gazeta Express

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *