Pas 29 vjetësh në arrati, 60-vjeçari nga Kosova arrestohet në aeroport në Gjermani
Arratia gati tri dekadëshe e një 60-vjeçari nga Kosova ka marrë fund në një aeroport në Gjermani, ku ai u ndalua nga policia teksa po përgatitej të udhëtonte drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Policisë Federale Gjermane në Offenburg, arrestimi është bërë më 20 nëntor në aeroportin Karlsruhe/Baden-Baden, gjatë kontrolleve të zakonshme kufitare për fluturimin me destinacion Tiranën. Gjatë verifikimit, efektivët konstatuan se pasagjeri kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.
Ndaj 60-vjeçarit rëndojnë dyshime të rënda për përdhunim dhe detyrim seksual, vepra për të cilat drejtësia gjermane kishte lëshuar kohë më parë një urdhër paraburgimi. Për plot 29 vjet, ai kishte arritur t’u shmangej autoriteteve dhe të mos binte në duart e policisë.
Fundi i arratisë erdhi nga të dhënat e rezervimit të biletës. Informacionet e pasagjerit, të regjistruara në sistem në momentin e blerjes së biletës, e sinjalizuan praninë e tij te policia, e cila e ndaloi dhe e arrestoi para se aeroplani të nisej.
Një ditë pas ndalimit, i dyshuari doli para gjyqtarit kompetent, i cili urdhëroi zbatimin e masës së mëparshme të paraburgimit. Ai do të qëndrojë prapa grilave deri në mbajtjen e seancës kryesore gjyqësore, ku do të përballet me akuzat që rëndojnë mbi të prej gati tri dekadash.
Burimi: Sinjali