166 kontrolle brenda një jave: Inspektorati shqipton 24 gjoba dhe mbyll shtatë lokale
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka mbyllur një javë intensive kontrollesh në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore, ku gjatë 166 inspektimeve janë shqiptuar 24 gjoba dhe janë mbyllur shtatë lokale.
Sipas njoftimit të institucionit, 74 lëndë tashmë janë përmbyllur, ndërsa 92 të tjera vazhdojnë të mbeten në procedurë, sepse nga bizneset është kërkuar dokumentacion shtesë ose heqja e parregullsive të gjetura gjatë kontrollit.
Kontrollet kanë prekur disa fusha njëkohësisht, nga mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve, te nafta dhe derivatet, kushtet minimale teknike dhe mbikëqyrja metrologjike.
Pjesa më e madhe e gjobave lidhet me çmimet dhe dokumentacionin. Shtatë sosh janë shqiptuar për mospërputhje të çmimeve, gjashtë për mungesë të faturave që dëshmojnë prejardhjen e produkteve, tri për shkelje në shitjet online, tri për mosrespektim të orarit të punës dhe dy për mungesë të çmimoreve, ndërsa pjesa tjetër për parregullsi të tjera.
Shtatë lokalet janë mbyllur për mungesë të dokumentacionit përkatës. Gjatë aksionit janë kryer edhe tri sekuestrime të produkteve pa dëshmi të prejardhjes, kurse disa produkte të tjera janë ndaluar përkohësisht nga shitja, derisa pronarët të paraqesin dokumentet e nevojshme.
Vetëm në tregtinë online janë realizuar 22 inspektime, ndërsa kontrolle ka pasur edhe në furra buke, mishtore, biznese të pajisjeve elektronike dhe në sektorin e derivateve të naftës.
Institucioni ka zhvilluar edhe 26 inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Inspektoratin Qendror të Punës, të fokusuara te ofruesit e shërbimeve të masazhit dhe lokalet e natës. Katër inspektime të tjera janë bërë bashkë me Inspektoratin Farmaceutik për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave.
Gjatë së njëjtës periudhë janë trajtuar me sukses edhe 30 ankesa të konsumatorëve, të dërguara përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Burimi: Sinjali