E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Raportime

Laborator kanabisi në shtëpi me qira në Prizren, aktakuzë ndaj tre personave – u gjetën 706 vazo

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, pas zbulimit të një laboratori të improvizuar për kultivimin e kanabisit brenda një shtëpie me qira në këtë qytet.

Dy të pandehurit, me inicialet I.M. dhe M.M., ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimën narkotike “Cannabis Sativa” me qëllim prodhimi të narkotikëve. I treti, K.S., akuzohet se u ka dhënë ndihmë kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës, veprimtaria e dyshuar ka vazhduar për një periudhë të pacaktuar, deri më 2 prill të këtij viti. I.M. dyshohet se e ka financuar të gjithë veprimtarinë, duke blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe rritjen e bimëve.

Gjatë kontrollit të realizuar më 2 prill, hetuesit kanë zbuluar në shtëpi një laborator të pajisur me mjete ndriçimi, ngrohjeje dhe ventilimi, preparate për rritjen e bimëve, pompa, pajisje matëse dhe shënime me udhëzime për kultivim. Gjithsej janë gjetur 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike: 450 brenda shtëpisë dhe 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborr. Mostrat e sekuestruara, pas ekspertizës, kanë rezultuar se përmbajnë kanabis.

Po atë ditë, në një deponi në Prizren janë gjetur mbetje të djegura të bimëve narkotike. Prokuroria dyshon se K.S., më 31 mars dhe 1 prill, e ka ndihmuar M.M.-në duke bartur me automjetin e tij thasët e mbushur me bimë nga shtëpia drejt deponisë, për t’i asgjësuar ato.

Të dy të pandehurit e parë akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje: në shtëpinë e I.M.-së janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në atë të M.M.-së një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Burimi: Telegrafi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *