Mbi 300 kamionë të bllokuar mbi 10 orë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, kolona rreth 7 kilometra
Mbi 300 kamionë kanë mbetur të bllokuar për më shumë se dhjetë orë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke krijuar një kolonë që, sipas shoferëve të bllokuar, arrin rreth shtatë kilometra.
Shoferët, të cilët udhëtojnë nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Bullgarinë, Turqinë dhe Greqinë, kanë ngritur shqetësimin se po presin prej orësh pa ndonjë zgjidhje konkrete. Njëri prej tyre ka thënë se ushqimi u është harxhuar, ndërsa në mesin e të bllokuarve ka edhe familje me fëmijë.
Lidhur me situatën ka reaguar drejtori i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës, Veton Elshani. Ai ka sqaruar se pritjet e gjata janë shkaktuar nga kontrolli më i detajuar që po u bëhet kamionëve në terminale.
Sipas Elshanit, kontrollet e shtuara po realizohen vetëm për mjetet e transportit të mallrave, prandaj janë krijuar pritje dhe kolona të gjata në këtë kategori, ndërsa automjetet e tjera nuk po përballen me të njëjtën situatë në kufi.
Mbetet e paqartë se sa do të zgjasë kjo gjendje, ndërsa shoferët e bllokuar vazhdojnë të presin në kolonë që qarkullimi i kamionëve të zhbllokohet dhe të mund të vazhdojnë rrugën e tyre.
Burimi: Bota Sot