Shtirej si i sëmurë me leukemi dhe mblodhi mbi 189 mijë euro, arrestohet i dyshuari në Gjilan
Një rast i rëndë mashtrimi është zbuluar në Gjilan, ku një person dyshohet se ka përfituar mbi 189 mijë euro duke u paraqitur rrejshëm si i sëmurë rëndë.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari, me inicialet E.A., që nga 9 nëntori i këtij viti kishte ndërtuar një histori të sajuar, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute. Përmes një fushate të hapur në platformën “GoFundMe”, ai u kishte kërkuar ndihmë financiare qytetarëve në Kosovë dhe bashkatdhetarëve në diasporë, me arsyetimin se paratë i nevojiteshin urgjentisht për trajtim dhe rehabilitim mjekësor.
Nga kjo fushatë, ai dyshohet se kishte grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Mirëpo, verifikimet e historikut të tij shëndetësor nga organet kompetente kanë treguar se ai nuk vuante nga sëmundja që pretendonte.
Pas marrjes së informatave, Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bllokuar paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara dhe e ka shpallur të dyshuarin në kërkim. Ai është arrestuar mbrëmjen e 21 nëntorit, rreth orës 22:00, në Gjilan.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: Sinjali