E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Diaspora

Me afro dy kilogramë drogë dhe 13 mijë euro në banesë, shqiptari përfundon në burg në Itali

Një shtetas shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane në Bolzano, pasi gjatë një operacioni antidrogë atij iu sekuestruan afro dy kilogramë lëndë narkotike dhe rreth 13 mijë euro para të gatshme.

Aksioni u krye nga Seksioni Antidrogë i Policisë së Bolzanos, e cila kishte nisur vëzhgimin pas dyshimeve për shpërndarje droge. Në rrugën Verona, efektivët vunë re lëvizje të dyshimta të shqiptarit, që u lidhën me një shitje të mundshme, dhe vendosën ta ndalonin automjetin e tij.

Gjatë kontrollit, i ndaluari u shfaq nervoz dhe dha shpjegime që binin ndesh me njëra-tjetrën për arsyen e qëndrimit në qytet. Fillimisht tha se kishte ardhur për turizëm me bashkëshorten dhe vajzën, por verifikimet treguan se ato ishin larguar më herët nga Italia. Më pas pretendoi se ndodhej aty për punë, pa mundur ta provonte.

Në automjet, policia gjeti rreth 20 gramë kokainë të ndarë në doza, të fshehur nën pjesët plastike në anën e shoferit, si dhe 315 euro në portofol, që dyshohet se vijnë nga aktiviteti i paligjshëm.

Kontrolli vazhdoi në banesën e tij në komunën e Appianos, ku u zbuluan sasi të tjera të fshehura në mobilie: rreth 920 gramë kokainë, rreth 946 gramë marijuanë dhe rreth 57 gramë hashash, bashkë me peshore, materiale për përzierje e paketim dhe rreth 13 mijë euro cash.

Sipas policisë italiane, droga, po të ndahej në doza për tregun e paligjshëm, do të vlente së paku 100 mijë euro. Shqiptari u arrestua në flagrancë dhe u dërgua në burg, nën dyshimin për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimi.

Burimi: Sinjali

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *