Pejë: Pesë vjet e gjysmë burgim për tentim vrasjeje, një vit burgim për ndihmë pas veprës penale
Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues në një rast të rëndë kriminal, duke shqiptuar dënime me burgim efektiv për dy të pandehur.
I pandehuri me iniciale B.A. është shpallur fajtor për vrasje në tentativë dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Për këto vepra penale, gjykata i ka shqiptuar dënim unik prej pesë vjetësh e gjashtë muaj burgim.
I pandehuri i dytë në këtë rast, E.H., është dënuar me një vit burgim efektiv, pasi është shpallur fajtor për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.
Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Armend Lokaj, sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë.
Gjykata ka vendosur edhe për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.A. Ai do të qëndrojë në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar prej pesë vjetësh e gjashtë muaj.
Vendimi është marrë në shkallë të parë, ndërsa palëve u takon e drejta e ankesës brenda afateve të parapara ligjore.
Burimi: Bota Sot