E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Aktualitet

Apeli vërteton burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën

Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimet e shqiptuara në shkallë të parë për vrasjen e Liridona Ademajt, duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e palëve.

Sipas vendimit të Departamentit për Krime të Rënda, Naim Murseli mbetet i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë të kryer në bashkëkryerje. Të njëjtin dënim e mban edhe Granit Plava, i shpallur fajtor për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Kushtrim Kokalla, ndërkaq, mbetet i dënuar me 30 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Apeli ka sqaruar se, meqë vepra e tij është cilësuar si ndihmë, ligji parasheh dënim më të butë sesa për kryerësit, ndaj shkalla e parë nuk ka pasur mundësi t’i shqiptojë burgim të përjetshëm.

Me këtë vendim, Apeli e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 6 korrik 2026, me numër PKR.nr.3/25, dhe i ka hedhur poshtë ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe të mbrojtësve të tre të akuzuarve.

Në arsyetim, gjykata ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje thelbësore të procedurës penale dhe se gjendja faktike është vërtetuar drejt. Si rrethana rënduese janë përmendur shkalla e lartë e dashjes, motivi, kryerja e vrasjes në prani të dy fëmijëve të viktimës, mosha e re e saj dhe fakti se ajo ishte e pambrojtur, si dhe planifikimi i detajuar i veprës paraprakisht.

Pjesa e aktgjykimit që lidhet me akuzën ndaj Kokallës për moslajmërim të veprës penale ka mbetur e paprekur, pasi Prokuroria ishte tërhequr nga ajo akuzë gjatë gjykimit në shkallë të parë.

Burimi: Telegrafi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *