E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Aktualitet

Padia e vitit 2001 ende pa epilog: Kushtetuesja i kërkon Gjykatës në Gjakovë ta mbyllë lëndën me prioritet

Një kontest pronësor i nisur para më shumë se dy dekadash në Gjakovë ende nuk ka marrë përgjigje nga gjykata e shkallës së parë. Bëhet fjalë për padinë e Ajet Ukshinit, i cili kërkon të vërtetohet pronësia e tij mbi rreth shtatë hektarë tokë në fshatin Brovinë.

Gjykata Kushtetuese, me aktgjykimin KI190/25 të marrë më 4 nëntor dhe të publikuar më 23 nëntor, ka konstatuar njëzëri se zvarritja e gjatë e procedurës i ka shkelur Ukshinit të drejtën për një proces gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm. Për këtë arsye, Kushtetuesja i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Gjakovë që lëndën ta trajtojë me prioritet dhe ta përmbyllë sa më parë.

Padia ishte dorëzuar më 17 korrik 2001 kundër Ekonomisë së Pyjeve në Gjakovë, institucion që sot njihet si Agjencia Pyjore e Kosovës. Ukshini pretendon se toka i ka kaluar me trashëgimi nga paraardhësit dhe se ajo është regjistruar gabimisht në emër të palës tjetër.

Procedura ishte ndërprerë në vitin 2012, pas vdekjes së disa prej palëve, ndërsa në prill 2019 Ukshini kishte kërkuar vazhdimin e saj si trashëgimtar. Nga janari 2020 deri në dhjetor 2025, ai kishte kërkuar pesë herë caktimin urgjent të seancës. Themelorja kishte mbajtur dy seanca përgatitore në korrik 2024 dhe kishte urdhëruar një ekspertizë gjeodezike, por në dhjetor 2025 lënda i kishte kaluar një gjyqtari tjetër dhe seanca ishte ricaktuar për qershor 2026.

Sipas Kushtetueses, çështja kishte mbetur e pazgjidhur në shkallën e parë për më shumë se 18 vjet, kontesti nuk paraqiste ndërlikim të veçantë dhe vonesat nuk i atribuoheshin paditësit. Gjykata ka gjetur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendimi përfundimtar për vetë pronësinë mbetet ende në duart e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Burimi: Sinjali

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *