E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Aktualitet

381 raste me fruth në Kosovë, 45 vetëm në javën e fundit – IKShPK bën thirrje për vaksinim

Fruthi po vazhdon të përhapet në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 22 nëntor të këtij viti në vend janë konfirmuar gjithsej 381 raste me këtë sëmundje.

Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 45 raste të reja, të shpërndara në 26 komuna të Kosovës. Sipas të dhënave të Institutit, pjesa dërrmuese e personave të prekur janë fëmijë.

Shqetësuese mbetet gjendja e vaksinimit: mbi 95 për qind e të infektuarve rezultojnë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

IKShPK thekson se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël, ndaj vaksinimi në kohë vlerësohet si mënyra më e mirë për parandalimin e sëmundjes dhe mbrojtjen e komunitetit.

Instituti, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po e vazhdon vaksinimin e rregullt dhe atë plotësues për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose që nuk i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës MMR. Gjatë këtij viti, përmes aktiviteteve të vaksinimit plotësues, janë vaksinuar mbi 4.187 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.

Prindërve u bëhet thirrje që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse u mungon ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet përkatëse shëndetësore. Kujdes i shtuar rekomandohet për foshnjat nën moshën 12 muaj, të cilat ende nuk e kanë marrë vaksinën MMR, duke kufizuar sa më shumë ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.

Burimi: Kallxo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *