Plagoset një ushtar i FSK-së në Babaj të Bokës, QKUK: Gjendja e tij është stabile
Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbetur i plagosur të hënën në Babaj të Bokës të Gjakovës, pasi dyshohet se municioni ka shpërthyer brenda armës së tij.
I plagosuri fillimisht ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, por më pas është transferuar me urgjencë për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Pamjet nga terreni kanë treguar mbërritjen e tij në QKUK me një furgon të FSK-së, nën përcjelljen e një autoambulance.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar se pacienti është pranuar nga ekipet mjekësore dhe i është nënshtruar të gjitha ekzaminimeve të nevojshme. Sipas tij, gjendja shëndetësore e ushtarit aktualisht është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Pas përfundimit të kontrolleve në Emergjencë, pjesëtari i FSK-së pritet të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, ku do ta vazhdojë trajtimin për lëndimet e marra.
Deri më tani nuk ka një njoftim të detajuar zyrtar për rrethanat e sakta se si ka ndodhur shpërthimi. Rasti ka rikthyer vëmendjen te siguria gjatë përdorimit të municionit në aktivitetet e forcës, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të japin më shumë detaje për gjendjen dhe për shkaqet e incidentit.
Burimi: Sinjali