E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Diaspora

Hyri kundërdrejtim në autostradën A2, 24-vjeçari shqiptar arrestohet në Zvicër me kokainë në veturë e banesë

Një shtetas shqiptar 24-vjeçar, me vendbanim në Shqipëri, ka përfunduar në prangat e Policisë Kantonale të Ticinos në Zvicër, pasi u kap duke lëvizur në drejtim të kundërt në autostradë dhe më pas iu gjet drogë gjatë kontrollit.

Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 19 nëntor, në Arbedo. Një patrullë policore e ka vërejtur të riun teksa me një veturë me targa të kantonit Ticino po lëvizte kundërdrejtim në një pjesë të korsisë së daljes së autostradës A2 dhe e ka ndaluar për kontroll.

Pas ndalimit, hetuesit kanë kontrolluar si automjetin, ashtu edhe banesën në zonën e Luganos ku 24-vjeçari po qëndronte. Gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa dhjetëra gramë kokainë, si dhe disa qindra franga zvicerane dhe euro në para të gatshme.

Në operacion ka marrë pjesë edhe shërbimi kundër drogës i Policisë së Qytetit të Luganos. Njoftimi për arrestimin është bërë publik të hënën, më 23 nëntor, nga Ministria Publike dhe Policia Kantonale e Ticinos, sipas të cilave i riu dyshohet për përfshirje në një veprimtari të konsiderueshme të trafikimit të narkotikëve.

Ndaj tij rëndojnë dyshimet për shkelje të rëndë të Ligjit Federal për Narkotikët dhe për shkelje të Ligjit Federal për Qarkullimin Rrugor. Hetimet për këtë rast po i koordinon prokurori publik Roberto Ruggeri, ndërsa i arrestuari gëzon prezumimin e pafajësisë derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Burimi: Gazeta Express

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *