Ambient nëntokësor për kanabis në Shkodër, sekuestrohen 170 kilogramë drogë dhe arrestohen 10 persona
Një operacion antidrogë i zhvilluar në Shkodër ka çuar në zbulimin e një ambienti nëntokësor të përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, në sekuestrimin e një sasie të madhe droge dhe në arrestimin e dhjetë personave.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ambienti është zbuluar në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”. Brenda një depoje është gjetur një hyrje e kamufluar, e cila të çonte në hapësirën nëntokësore. Kjo hapësirë ishte e ndarë në dy pjesë: njëra ishte përshtatur për rritjen e bimëve narkotike me ndihmën e llambave, ndërsa tjetra shërbente për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar rreth 2,600 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar, e paketuar në dhjetë thasë plastikë.
Operacioni është realizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Në flagrancë janë arrestuar dhjetë shtetas, të moshave nga 18 deri në 61 vjeç, banues në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Gjirokastrën, Cërrikun, Tiranën, Poliçanin, Ishull-Lezhën dhe Mirditën. Sipas Policisë, nga verifikimet ka rezultuar se njëri prej të arrestuarve, 46-vjeçari me inicialet A.L. nga Poliçani, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë. Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: Telegrafi