E martë, 24 Nëntor 2026Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Lajme

Lajme të fundit nga Kosova dhe diaspora

Raportime

Tensione në gjykimin “Capat dhe Sekiraqët”: Sekiraqa kërkoi të kthehej në qeli, pasdite u dëgjuan përgjimet

Seanca e së hënës në rastin e njohur si “Capat dhe Sekiraqët” ka nisur në orën 09:00 në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, por paradite është ndërprerë pas një debati të tensionuar mes palëve për mënyrën e dëgjimit dhe publikimit të përgjimeve.

Në fillim të seancës, gjykata konstatoi se të gjitha palët ishin të pranishme dhe administroi raportin e ekspertizës forenzike për predhat metalike të gjetura në trupin e viktimës, për të cilin palët nuk patën vërejtje. Tensioni u ngrit kur u kalua te audioincizimet e siguruara me masa të fshehta hetimore.

Mbrojtja e Korab Gashit kërkoi që bisedat e tij me bashkëshorten për çështje familjare të mos dëgjoheshin në prani të publikut dhe i kërkoi Prokurorisë të saktësonte pjesët me rëndësi për rastin. Prokurori tha se palët ishin pajtuar më herët të përqendroheshin vetëm te pjesët relevante dhe se bisedat personale nuk ishin përfshirë.

Në anën tjetër, Salih Sekiraqa kërkoi publikimin e të gjitha përgjimeve dhe që mediat të mund t’i publikonin edhe pamjet, duke thënë se gjykimi po i bëhet në emër të popullit. Pas përplasjes me mbrojtësin e Gashit, të cilin e quajti shpifës e mashtrues, Sekiraqa kërkoi të kthehej në qeli dhe seanca u ndërpre.

Pasdite gjykimi rifilloi dhe në sallë u dëgjuan pjesë të përgjimeve, ndërsa gjyqtarja u kërkoi mediave kujdes që të mos publikojnë pjesët me përmbajtje familjare. I akuzuari Robert Llumnica deklaroi se i autorizon mediat t’i kenë në dispozicion të gjitha shkresat e lëndës.

Shënim: Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Burimi: Sinjali

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *