Arrestohen dy të dyshuar për grabitjet e armatosura në argjendaritë e Gjakovës
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona që dyshohen për dy grabitje të armatosura në argjendari të Gjakovës, të ndodhura brenda njëmbëdhjetë ditësh.
Grabitja e parë ka ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”. Sipas policisë, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në argjendari dhe, nën kërcënimin e armës, kanë marrë ar në vlerë rreth 30 mijë euro dhe rreth 2 mijë euro para të gatshme.
Grabitja e dytë është raportuar më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”. Edhe këtë herë autorët kanë qenë të maskuar, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka mbajtur një armë të gjatë, e tjetri një çekan. Gjatë kësaj grabitjeje ka mbetur i plagosur një qytetar.
Pas hetimeve intensive dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit rajonalë kanë identifikuar të dyshuarit. Më 17 nëntor, me asistimin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, janë kryer bastisje në pronat e dy të dyshuarve në komunën e Deçanit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 7 mijë e 330 euro dhe 100 dollarë, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona, një armë zjarri dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Me vendim të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor.
Burimi: Policia e Kosovës