Ekzekutohet me armë zjarri në oborrin e banesës në Fier, plagoset rëndë edhe vëllai i tij
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Fierit, ku një burrë është vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur.
Viktima është Selami Hasani. Sipas njoftimit paraprak të Policisë, atentati ka ndodhur rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”, në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Dyshohet se autorët janë futur në banesën e viktimës dhe kanë qëlluar ndaj dy vëllezërve, për t’u larguar më pas nga vendngjarja pa lënë gjurmë.
Nga të shtënat, Hasani ka humbur jetën në vend, ndërsa vëllai i tij, Jakup Hasani, i plagosur rëndë, është transportuar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve. Pak më vonë, në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjej, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për kryerjen e krimit dhe për largimin nga zona.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Motivi i atentatit mbetet ende i paqartë.
Selami Hasani ishte një emër i njohur për Policinë. Ai ishte dënuar më herët me 25 vjet burg, nën akuzën për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, si dhe të Esat Tares.
Burimi: Sinjali