Dyshohet se dhunoi gruan dhe me thikë ia preu gishtin axhës së saj, një muaj paraburgim për burrin nga Gjakova
Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji një burri nga kjo komunë, i cili ngarkohet me dyshimet për veprat penale të dhunës në familje dhe të lëndimit të lehtë trupor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti ka zanafillën në mosmarrëveshjet familjare. Më 18 nëntor, bashkëshortja e të dyshuarit ishte larguar nga shtëpia dhe ishte vendosur te familjarët e saj. Po atë ditë, sipas hetuesve, ajo kishte marrë prej tij një mesazh zanor, përmes të cilit ai e kishte kërcënuar me jetë.
Ngjarja ka eskaluar në orët e para të 21 nëntorit, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec të Gjakovës. I dyshuari dyshohet se ka shkuar në shtëpinë ku po qëndronte bashkëshortja dhe, duke bërtitur, i ka kërkuar asaj të dalë jashtë dhe të hipë në veturë, kinse për të biseduar, ndonëse ajo kishte frikë për sigurinë e saj.
Kur axha i gruas ka dalë dhe ka hapur derën për të folur me të, i dyshuari dyshohet se e ka sulmuar me thikë. Goditja e parë e ka kapur në fytyrë, ndërsa kur i dëmtuari ka ngritur dorën e majtë për t’u mbrojtur, thika ia ka prerë gishtin e katërt. Lëndimet janë konstatuar në raportin mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë dhe janë kualifikuar si lëndime të lehta trupore.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Masa do të zgjasë një muaj, nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026, duke u llogaritur nga dita e arrestimit. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: Gazeta Express